Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare për 35 nga 38 komunat e vendit pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se për Prishtinën, Junikun dhe Mamushën rezultatet ende nuk janë publikuar për shkak të ankesave që janë në shqyrtim në PZAP.
Në raundin e parë, disa komuna kanë zgjedhur fituesit e tyre direkt, ndërsa për shumë të tjera do të zhvillohet balotazh. Në Mitrovicë të Jugut në balotazh shkojnë Faton Peci i LVV-së me 15,830 vota (47,94%) dhe Arian Tahiri i PDK-së me 15,708 vota (47,57%). Po ashtu, në Pejë balotazhin do ta zhvillojnë Gazmend Muhaxheri (LDK) dhe Taulant Kelmendi (LVV), ndërsa në Prizren Shaqir Totaj (PDK) do të përballet me Artan Abrashin (LVV).
Radoniqi ka theksuar se për shumicën e komunave që nuk kanë balotazh, fituesit janë të konfirmuar, ndërsa rezultatet për qytetet ku ka ankesa do të shpallen në vijim.