Hetimi ndaj 109 komisionarëve të ndaluar për dyshime mbi keqpërdorim të votave, si dhe përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit, kanë ngritur çështjen e integritetit dhe transparencës së procesit zgjedhor në vend. Ndërkohë, institucionet dhe KQZ-ja kanë paralajmëruar masa dhe rregulla të reja për menaxhimin e procesit zgjedhor.
Vetëm brenda një dite u ndaluan 109 komisionarë, në mesin e tyre edhe familjarë të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.Disa prej tyre u dërguan në mbajtje, nën dyshimin për keqpërdorim të votave.
Katër muaj më vonë, procesi hetimor ende nuk është përmbyllur, ndërsa vendi po përgatitet për zgjedhjet e 7 qershorit.
Nga KQZ-ja thonë se përzgjedhja e komisionarëve do të trajtohet me kujdes, por personave nën hetime nuk u ndalohet përfshirja në proces.
Në masë të madhe, kjo përcaktohet edhe nga emrat që do të dërgojnë partitë politike.
“Është vendosur një mekanizëm i ri kontrolli gjatë numërimit të votave, ku pas pranimit të materialeve në QNR, mund të vendoset rinumërimi deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura rastësisht”, ka thënë Valmir Elezi- zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërkohë, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi theksojnë se si komisionarët ashtu edhe kandidatët për deputetë duhet të kenë integritet të lartë zgjedhor.
