Këshilli Prokurorial të enjten i ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe Arlinda Nallbani Gacaferrin, prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor.
Ndaj tyre u hap edhe procedurë disiplonore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit.
Në arsyetimin e KPK-së thuhet se Vuçetaj “gjatë gjithë kohës si udhëheqëse e prokurorisë përkatëse kishte pranuar kërkesa nga pala e dëmtuar, tani e ndjera A.Z., ishte në dijeni për urgjencat e kërkesave të saj dhe me theks të vecantë së të njëjtës po i kanosej jeta, ishte në dijeni për të gjitha raportet nga prokurorët të cilët kanë trajtuar rastet ku e ndjera ka qenë palë e dëmtuar, ishte e njoftuar edhe me raporte zyrtare policore lidhur me nivelin e rrezikshmërisë të cilën i kanosej të ndjerës A.Z,., ishte e njoftuar përmes KPK-së, kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku këta të fundit në njoftimet e tyre kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të palës, por znj. Vuçetaj kishte dështuar në ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara”.
Nga KPK thuhet se si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj në trajtimin e kërkesave urgjente të Arlinda Zekajt, “kishte ardhur deri te pasojat fatale për tani të ndjerën A.Z.”
Për zëvendësprokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri thuhet se më 22 tetor ku Policia ishte informuar për shkeljen e vendimin të urdhërmbrojtjes ndaj Arlinda Zekajt, e cila kishte raportuar se në shtëpinë e saj po qëndronin nëna dhe vëlla i bashkëshortit dhe se ky i fundit e kishte kanosur, prokurorja “kishte udhëzuar që tani i pandehuri A.S. të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke anashkaluar faktin e kanosjes direkte për privim nga jeta dhe duke mos vlerësuar rrezikshmërinë që po i kanosej direkt tani të ndjerës A.Z.”




