Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar se zgjedhjet e 7 qershorit janë vendimtare për të ardhmen politike të vendit, duke bërë thirrje për formimin e institucioneve stabile dhe funksionale pas procesit zgjedhor.
Në një intervistë për IndeksOnline, ai ka shprehur shqetësimin për krizën e vazhdueshme politike dhe ndikimin që ajo po ka në funksionimin e institucioneve.
“Mbretëria e Bashkuar mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sigurisë dhe sovranitetit të Kosovës. Por paraliza e vazhdueshme politike e bën më të vështirë për ne dhe për të tjerët që të argumentojmë fuqishëm në favor të Kosovës”, tha Hargreaves.
Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme marrin peshë të veçantë për shkak të situatës politike të krijuar muajve të fundit.
“Prandaj këto zgjedhje kanë rëndësi. E di që ka lodhje nga zgjedhjet, por fakti që këto janë zgjedhjet e treta brenda 16 muajve i bën ato më të rëndësishme, jo më pak. Kosovës i nevojitet urgjentisht udhëheqje stabile. I duhet një president, një Kuvend dhe një qeveri që mund të marrin vendime dhe të japin rezultate”, deklaroi ambasadori për IndeksOnline.
