Pasi u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje mandatar për Kryeministër, Glauk Konjufca në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të partisë, foli edhe për opozitën, gjë për të cilën ai tha se kur bëhet fjalë për interesin e përgjithshëm të qytetarëve, në çdo vend serioz, pozita dhe opozita bëhen bashkë.
Konjufca theksoi se VV-ja tani bëri kompromisin e madh që të mos propozonte Kurtin si mandatar, e tani sipas tij radhën e ka opozita.
“E kemi një pozitë të cilën e kemi. Këtë e zgjedh populli, nuk e zgjedhim ne. Nuk mund ta modelojmë siç duam ne, se po të mundnim se s’do të kishim demokraci. Por e di që në çdo shtet serioz, pozita dhe opozita arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm të qytetarëve dhe të vendit. Pikërisht tash dhe ky është momenti në Kosovë. VV po e bën kompromisin e vet, më shumë se kaq nuk ka mundësi, nuk ka mundësi sepse ne po e prezentojmë një qeveri në të cilën s’është Kryeministër Albin Kurti, e ky është kompromis i madh për VV-në, ama tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha tutje ai.
Ai tha se edhe një palë zgjedhje të reja nacionale do të ishin të papërballueshme për Republikën e Kosovës dhe për vet popullin.
