Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Gjykatës Speciale në Hagë që “të mos marrë vendim politik” kur më 16 shtator do ta shpallë aktgjykimin në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi priti ministrin e Deleguar për Europën të Francës, Benjamin Haddad, Konjufca u pyet se cili do të ishte qëndrimi i institucioneve të Kosovës nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi do të dënoheshin.
“Unë bëj thirrje që Gjykata e Hagës të mos marrë vendim politik, por të marrë vendim të drejtësisë. E nëse merr vendim të drejtësisë, ne të gjithë e dimë çka është drejtësi, sepse ne jemi dëshmitarë si popull, që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Po të kishte qenë luftë kriminale, kurrë, kurrë nuk do ta kishte marrë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë mbajeni në mend”, tha ai.
Konjufca tha se “nuk ka mundësi një luftë kriminale të mbështetet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej Britanisë së Madhe, prej Gjermanisë e prej Francës”.
