Koloneli amerikan Jabari Miller, i cili ka marrë drejtimin e Komandës Rajonale-Lindje të misionit të KFOR-it, ka deklaruar se ushtarët amerikanë janë të përgatitur të punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët e NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt në Kosovë.
“Ushtarët tanë janë në formë të mirë fizike, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë”, ka deklaruar Miller për revistën ushtarake “Stripes”.
Deklarata e tij vjen pas marrjes së komandës së Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it nga ushtarët amerikanë të Regjimentit të Dytë të Kalorësisë dhe njësive mbështetëse të Divizionit të Parë të Këmbësorisë, me seli në Gjermani.
Sipas një njoftimi të Ushtrisë Amerikane për Evropën dhe Afrikën, ndërrimi i komandës u bë të hënën, gjatë një ceremonie në kampin Bondsteel, në Kosovë.




