Punëtorët, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, në temperaturat ekstreme të këtyre ditëve, janë lënë në mëshirën e punëdhënësve dhe ballafaqohen me mungesë të kushteve minimale në vendet e punës, vlerësoi kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.
Ai tha se policia dhe prokuroria merren vetëm me pasojat, ndërsa mungesa e inspektimeve dhe e mbikëqyrjes po çon në lëndime të rënda, invaliditet dhe raste fatale.
“Realisht, ne në reagime duam t’u paraprijmë proceseve që punëtorët të jenë të mbrojtur në vendin e punës. Policia dhe prokuroria kryesisht po merren me pasojat, pasi që po ndodhin pasojat, qoftë lëndime të rënda, qoftë invaliditet i përjetshëm apo përfundim me fatalitet. Është joserioze. Po e shihni në temperatura 36 deri 38 gradë, punëtorët punojnë në ndërtimtari kur nuk ka kushte minimale për sigurinë e tyre. Pastaj, puna pa orar. Ta keni parasysh që punëtorët punojnë për të ruajtur një vend pune që ndoshta është burimi i vetëm i familjes për të siguruar një mbijetesë. Punëtorët shumë herë nuk pajisen me masa mbrojtëse, edhe pse thuhet që ua kanë blerë ato mjete mbrojtëse, por ata nuk i përdorin. Megjithatë, nuk guxojnë ta lejojnë një punëtor të punojë pa masa mbrojtëse”, tha Shala.
Ai vë në dukje numrin e pakët të inspektorëve, që nuk mjafton madje as përfërisht për nevojat në terren.