Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë ka nisur procesin e kalimit gradual nga prania e përhershme në Urën kryesore në Mitrovicë. Sipas KFOR-it, ky proces vjen në kuadër të optimizimit të pozicionimit të misionit, pas përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
KFOR-i ka bërë të ditur se ndryshimi i pranisë do të zhvillohet gradualisht dhe në bazë të kushteve në terren, ndërsa procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë.
“Procesi do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigjen për Klanin
Sipas misionit të NATO-s, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.
KFOR-i ka theksuar se komandanti i misionit, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me përfaqësuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare dhe Forcave të Armatosura të Serbisë.
