Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar pretendimet për spiunimin e SHBA-së nga Kina, duke deklaruar se edhe amerikanët kryejnë aktivitete të ngjashme ndaj Pekinit, madje, sipas tij, me më shumë sukses.
Gjatë një prononcimi, Trump ka thënë se spiunimi është i ndërsjellë mes dy fuqive, duke pretenduar se SHBA-ja ka kapacitete më të avancuara në këtë drejtim.
“Ata thonë: ‘Oh, ata po na spiunojnë.’ Epo, edhe ne i spiunojmë ata. Madje, mendoj se ne spiunojmë më mirë sesa ata. Nuk mund t’ju tregoj për këtë. Nuk mund t’ju tregoj se çfarë bëjmë. Por, le ta themi kështu: unë di gjithçka. Ne e spiunojmë Kinën, ndërsa ata na spiunojnë ne”, ka deklaruar Trump.
I pyetur nëse do t’i kërkojë Kinës që të ndalojë aktivitetet e spiunazhit ndaj SHBA-së, presidenti amerikan ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend ta bëjë një kërkesë të tillë.



