Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Evropës ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë si pluraliste, gjithëpërfshirëse dhe garuese, pavarësisht politizimit të disa institucioneve kyçe.
Pas ftesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), një delegacion prej nëntë anëtarësh i Kongresit, i kryesuar nga Dominique Lévêque (Francë, SOC/G/PD), përmbylli misionin e tij për vëzhgimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën, më 12 tetor 2025. Kjo ishte hera e parë që Kongresi ka vëzhguar zgjedhje në Kosovë.
Gjatë ditës së zgjedhjeve, ekipet e vëzhguesve vizituan 55 qendra votimi në komuna të ndryshme të vendit, nga hapja deri në mbyllje të tyre. Para misionit në terren, delegacioni zhvilloi takime me institucionet zgjedhore, organet e ankesave, trupin diplomatik, partitë politike, kandidatët dhe përfaqësues të mediave e OJQ-ve.
Sipas vëzhguesve, dita e zgjedhjeve u karakterizua nga qetësia dhe menaxhimi i mirë i procesit, me vetëm disa parregullsi të vogla. Ndër to u përmendën mbyllja jo e njëtrajtshme e kutive të votimit në disa zona rurale, mungesa e qasjes për personat me aftësi të kufizuara dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm i komuniteteve joshumicë në komisionet zgjedhore. Megjithatë, Kongresi vlerësoi profesionalizmin dhe bashkëpunimin e komisionerëve, si dhe trajnimin adekuat të tyre.
Duke komentuar misionin, udhëheqësja e delegacionit, Dominique Lévêque, tha se korniza e re ligjore zgjedhore ka mundësuar zhvillimin e një procesi me standarde demokratike, ndërsa fushata elektorale është zhvilluar me një ton kryesisht të matur dhe respektues.
“Pavarësisht klimës së polarizuar politike, mjedisi i fushatës ishte i lirë dhe i drejtë. Votuesit patën mundësinë të zgjedhin nga një gamë e gjerë kandidatësh, përfshirë edhe nga komunitetet joshumicë”, theksoi Lévêque.
