Aleanca për të Ardhmen pa Duhan ka mbajtur një punëtori me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet shëndetësore, shoqëria civile dhe mediat, ku u diskutuan idetë dhe hapat konkretë për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në Kosovë.
Në qendër të diskutimit ishin sfidat e shkaktuara nga produktet e reja të industrisë së duhanit: cigaret elektronike, vapes dhe sistemet e tjera elektronike të shpërndarjes së nikotinës (ENDS).
Në takim u theksua se si rezultat i marketingut agresiv të industrisë së duhanit, është duke u vërejtur një rritje e përdorimit të cigareve elektronike, sidomos te të rinjtë, por edhe në grupmosha të tjera. Këto produkte shpesh promovohen në mënyrë mashtruese si më pak të dëmshme se cigaret tradicionale, ndonëse përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik.
Aleanca theksoi se do të avokojë fuqishëm që cigaret elektronike, vapes dhe sistemet e tjera të shpërndarjes së nikotinës të adresohen qartë në procesin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, si dhe në forcimin e aktiviteteve monitoruese për zbatimin e tij.
