Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është duke planifikuar të përfitojë një shumë të konsiderueshme parash, duke u thirrur në emër të UÇK-së.
Sipas Kërçelit, ai ka planifikuar një projekt prej 1 milion eurosh për vendosjen e shtyllave me flamuj të UÇK-së në hyrje dhe dalje të Prishtinës, teksa vlera reale e një projekti të tillë duhet të jetë rreth 300 mijë euro.
“Kjo ngre dyshime serioze dhe kërkon sqarime se si është arritur në shumën prej 1 milion eurosh dhe ku do të shkojnë 700 mijë eurot e diferencës” shkroi Kërçeli.
Ai paralajmëron se do të kërkojë qasje në dosjen e projektit dhe të gjitha dokumentet financiare për këtë projekt.
“Qytetarët e Prishtinës meritojnë transparencë dhe llogaridhënie. Ata do të informohen fije për pe për çdo euro të planifikuar dhe të shpenzuar në këtë projekt.
Respekti për UÇK-në dëshmohet me vepra dhe dinjitet, jo me projekte të dyshimta milionëshe në emër të saj!” shkroi ai.
Ky është postimi i plotë i tij:
Siç duket, kryetari në largim ia paska vënë syrin edhe një shume të konsiderueshme të parasë publike, kësaj radhe duke u thirrur në emrin e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas informacioneve, është planifikuar një projekt në vlerë prej 1 milion eurosh për vendosjen e shtyllave me flamujt e UÇK-së në hyrje dhe dalje të qytetit të Prishtinës.
Ndërkohë, vlera reale e një projekti të tillë vlerësohet të jetë rreth 300 mijë euro. Kjo ngre dyshime serioze dhe kërkon sqarime se si është arritur në shumën prej 1 milion eurosh dhe ku do të shkojnë 700 mijë eurot e diferencës.
Kryetar, emri i UÇK-së nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mbulesë për keqpërdorimin e parasë publike!
Po të paralajmëroj publikisht se, në cilësinë e deputetit të Republikës së Kosovës, do të kërkoj qasje të plotë në dosjen e këtij projekti, përfshirë preventivin, specifikimet teknike, procedurat e prokurimit dhe të gjitha dokumentet financiare.
Qytetarët e Prishtinës meritojnë transparencë dhe llogaridhënie. Ata do të informohen fije për pe për çdo euro të planifikuar dhe të shpenzuar në këtë projekt.
Respekti për UÇK-në dëshmohet me vepra dhe dinjitet, jo me projekte të dyshimta milionëshe në emër të saj!
Askush nuk duhet të lejohet ta përdorë sakrificën e UÇK-së për përfitime personale.