Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanović, mori pjesë sot në Konferencën e 9-të të Ndërmjetësimit në Stamboll, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes, ku foli për rolin e organizatave rajonale në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme. Gjatë vizitës së tij në Stamboll, Kapetanović u takua gjithashtu me Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Türkiyes dhe Drejtorin për Çështjet e BE-së, Mehmed Kemal Bozay, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit rajonal, ndërlidhjes dhe zbatimin e prioriteteve të përbashkëta në të gjithë Evropën Juglindore.
Duke folur në panelin “Reflektime nga organizatat rajonale: Sinkronizimi i përpjekjeve”, Kapetanović iu referua përvojës së Evropës Juglindore me konfliktet dhe pajtimin, për të theksuar se si dialogu i vazhdueshëm, bashkëpunimi praktik rajonal dhe koordinimi më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë mund të ndihmojnë në parandalimin e tensioneve, ndërtimin e besimit dhe arritjen e paqes së qëndrueshme.
“Paqja nuk ndërtohet vetëm kur nënshkruhen marrëveshjet. Një marrëveshje paqeje e ndal luftën, por nuk e përfundon punën. Paqja ndërtohet në vitet që pasojnë, kur institucionet vazhdojnë të dialogojnë pavarësisht mospajtimeve, kur njerëzit i shohin fqinjët e tyre me pak më shumë besim, kur udhëheqësit e mbajnë derën e hapur edhe atëherë kur kjo u sjell pak përfitime politike”, tha Kapetanović.
Ai rikujtoi se RCC-ja u themelua si një projekt paqeje, i rrënjosur në përvojën e Evropës Juglindore me konfliktet dhe pajtimin, dhe se puna e saj vazhdon të dëshmojë se si bashkëpunimi praktik kontribuon në stabilitet. Nga marrëveshjet për lëvizshmërinë dhe roaming-un, te njohja e kualifikimeve, Tregu i Përbashkët Rajonal dhe nismat që mbështesin të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse, bashkëpunimi rajonal krijon interesa të përbashkëta dhe forcon lidhjet ndërmjet njerëzve dhe institucioneve.
“Ky nuk është pajtim në kuptimin abstrakt. Ky është pajtim përmes përvojës. Edhe ndërvarësia i shërben ndërmjetësimit: ajo nuk i zëvendëson bisedimet, por e rrit koston e largimit nga tryeza e negociatave”, theksoi Kapetanović. Ai gjithashtu përshëndeti angazhimin afatgjatë të Türkiyes në ndërmjetësimin ndërkombëtar, përfshirë Platformën e Paqes për Ballkanin, duke nënvizuar rëndësinë e lidhjes së dialogut politik me mekanizmat rajonalë që e shndërrojnë bashkëpunimin në rezultate konkrete.
