Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, paralajmëron se policia serbe kishte dijeni për krimin që nga dita e vrasjes, por në vend që ta hetonte dhe t’i arrestonte autorët, urdhëroi që trupat të groposeshin. Sipas saj, në këtë mënyrë civilët shqiptarë të vrarë u bënë mbetje mortore që duhej të zhdukeshin, ndërsa krimi të fshihej.
Dyshohet se në fshatin Kalludër e Vogël, në Komunën e Zubin Potokut, ndodhet një varrezë masive e civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të asaj periudhe – 23 shqiptarë u vranë më 19 prill 1999, ndërsa publiku ka prova për këtë që nga viti 2013, shkruan RTK .
Deri më sot nuk është zhvilluar asnjë hetim konkret.
Dëshmia që zbuloi krimin
Informacioni për varrezën e mundshme masive u bë publik më 7 janar 2013, kur gazeta “Zëri” publikoi një artikull dhe dëshminë e serbit Ranko Tepavac për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë dhe groposjen e fshehtë të trupave të tyre në luginën e fshatit Kalludër e Vogël. Kjo dëshmi ishte dhënë nga Tepavac para hetuesve të UNMIK-ut dhe Policisë së Kosovës që më 7 shkurt 2003, thuhet në artikullin autorial të drejtoreshës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, të publikuar në portalin “ Pescanik ”.
Natasha Kandiq shkruan se Tepavac e përshkroi ngjarjen në detaje: gjatë luftës ai qëndronte në Kalludër të Madhe dhe pa një grup civilësh shqiptarë që u ndaluan nga grupi i Jovica Utviqit nga Kalludra e Vogël. Utviqi, shton Kandiq, ua mori paratë dhe sendet me vlerë, duke u premtuar se do t’i linte të vazhdonin rrugën drejt Ulqinit, por më pas i urdhëroi të ktheheshin dhe, sapo ata e bënë këtë, hapi zjarr dhe i vrau. Dikush nga banorët e fshatit e njoftoi menjëherë policinë për vrasjen. Policia mbërriti në fshat dhe, sipas dëshmisë së Tepavacit, urdhëroi: “Groposini ata që i vratë”.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd dhe Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës nuk disponojnë të dhëna që UNMIK-u dhe Policia e Kosovës, pas vitit 2003, të kenë ndërmarrë ndonjë hap për të verifikuar lokacionin ose për të zhvilluar hetime.
Rruga drejt Kalludrës së Vogël
Rikonstruktimi i detajuar i ngjarjes u publikua në vitin 2024 në librin e dytë të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Libri i Kujtesës së Kosovës, me titullin “Dinjitet për të Zhdukurit”.
Në fillim të prillit 1999, ndër aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë u përhap lajmi se policia serbe po arrestonte anëtarë të njohur të partisë. Për këtë arsye, një grup aktivistësh – mes tyre Faruk Spahiu (më vonë kryetar i Mitrovicës së Jugut nga viti 2000 deri më 2005), Adem Beqiri, Adem Ademi, Sahit Berani, Hasan Dërvari dhe Demir Ahmeti – u strehuan në fshatin Kotorr.
Atje u lidhën me Xhafer Behramin, njohës i mirë i terrenit, i cili pranoi t’i kalonte përmes maleve drejt Malit të Zi. Grupit iu bashkuan edhe shumë banorë të tjerë – gjithsej rreth njëzet persona, përfshirë anëtarë të familjeve Mëziu dhe Ujkani, si dhe Idriz Rrecaj.
Kolona u nis nga Kotorri më 19 prill 1999, rreth orës 15:00, në drejtim të Malit të Zi. Behrami i paralajmëroi se rruga ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, por të gjithë këmbëngulën të vazhdonin. Me të shkoi edhe pjesëtari i UÇK-së, Shaban Abazi, i armatosur me bomba.
Ndarja e grupit dhe të shtënat
