Meteorologu Mendim Rugova ka bërë një përmbledhje të situatës meteorologjike gjatë ditëve të para të nëntorit, duke thënë se ky muaj ka nisur me reshje të konsiderueshme të shiut.
Sipas tij, gjatë këtyre ditëve janë akumuluar rreth 20 milimetra reshje, që përbëjnë afërsisht një të tretën e sasisë së reshjeve që pritet për tërë muajin nëntor.
“Gjatë këtyre ditëve të nëntorit janë shnuar rreth 20 milimetra që janë akumuluar në këto ditë të para, një e treta e reshjeve për muajin nëntor. Ka filluar mirë nëntori. Fillimisht shkojmë te fushat barike. Kemi pasur stuhinë Agneta, e cila është emërtuar nga Shërbimi Ushtarak Meteorologjik i Italisë dhe ka sjell mjaft shumë të reshura, sidomos ka pasur vërshime në pjesën jugore të Italisë dhe në Greqi”, ka deklaruar Rugova në Klan Kosova.
Duke folur për ditët në vijim, meteorologu ka bërë të ditur se stuhia që ka ndikuar në rajon tashmë është duke u larguar dhe po zhvendoset drejt lindjes, në drejtim të Detit të Zi dhe më tej kah Rusia Perëndimore.
