Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se pavarësisht tenderëve të shumtë me negocim, në gjashtë muajt e parë të vitit është shpenzuar vetëm 37 për qind e buxhetit të planifikuar.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se nga 1.02 miliardë euro të parapara për investime kapitale gjatë këtij viti, janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të parealizuara.
Ai ka theksuar se nga shuma e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa sipas vendimeve gjyqësore, çka nënkupton se investimet reale kapitale arrijnë në vetëm 295 milionë euro.
Hoti ka publikuar edhe të dhënat për realizimin e investimeve sipas ministrive, ku disa prej tyre kanë shënuar përqindje tejet të ulëta.


