Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Shaip Kamberi, ka deklaruar për RTK-në se shqiptarët janë në garë për të siguruar mandatin e dytë, ndërsa pasivizimi i adresave ka ndikuar në humbjen e mundësisë për të fituar mandatin e tretë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë, pak para mbylljes së vendvotimeve, Kamberi ka bërë të ditur se, sipas të dhënave preliminare të orës 19:00, në 37 vendvotime në Preshevë kishin votuar 16.600 qytetarë, ndërsa në vendvotimet shqiptare në Bujanoc 10.853 votues.
Ai ka thënë për RTK-në se procesi zgjedhor ka vijuar përgjithësisht i rregullt, me disa parregullsi të vogla në fillim të votimit.
Sa i përket mundësisë për mandatin e dytë, Kamberi ka theksuar se rezultati varet edhe nga pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhjet në Serbi.
“Nëse shkon në 70%, siç po flitet, atëherë sigurisht do të kërkohen më tepër vota. Në rast të një rezultati 61–65%, kemi gjasa shumë reale ta kemi ulësen e dytë”, ka deklaruar Kamberi për RTK-në.

