Na ndajnë pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor 2025–2026, ndërsa sfidat për arsimin në Kosovë mbesin të njëjta si vitet e kaluara. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se mësimi do të nisë me kohë, megjithatë ka ngritur shqetësime serioze për vonesat me tekstet shkollore dhe mungesën e kontratës kolektive për sektorin e arsimit.
“Sa i takon SBASHK-ut, viti shkollor do të fillojë me kohë, ngase në takimet që po i mbajmë në konsultimet edhe me veprimtarë sindikalë nga komunat kemi ardh në përfundim se në situatën që jemi kur nuk janë konstitu as parlamenti e as nuk ka qeveri, as nuk kemi me kë të të zhvillojmë dialog e as nuk kemi kujt t’i drejtohemi të bëjmë protesta e greva për t’i shpalosur kërkesat tona”, deklaroi Jasharaj.
Ai tha se një nga problemet kryesore që pritet të përsëritet është ai i teksteve shkollore.
“Problemi duket se do të jetë ai i viteve të kaluara, është fjala tek tekstet shkollore, ngase edhe duke e parë se dy vitet e kaluara shkuan shumë keq dhe u humbën një muaj e më shumë mësim duke pritur që të furnizohen të gjithë nxënësit me libra. Ministrja në shkuarje z. Arbërie Nagavci bashkë me stafin e vet e përsëritën gabimin si për inat. Mund t’i falet pse ndodhi herën e parë pasi mund të ketë menduar se mund të ketë efekt të mirë, mirëpo u pa që kishte vonesa, kishte prind që kishte prindër me xhirollogari të bllokuara. Kishte telashe të ndryshme me tekste shkollore, një varg problemesh do të përsëriten edhe tani”, shtoi ai
Sipas Jasharajt, mësimdhënësit do të përballen me vështirësi nëse nxënësit nuk furnizohen me kohë me libra.
“Shpërndarja e të hollave është vonuar, dedikuar për tekstet shkollore. Mësimdhënësit do të jenë në hallë sepse nuk mund të fillojnë mësimin derisa të gjithë nxënësit të furnizohen me libra”, theksoi ai për IndeksOnline.