Mungesa e investimeve në siguri dhe shëndet në punë, mosrritja e pagave që nga viti 2016 dhe nevoja urgjente për miratimin e një ligji për pensionim të parakohshëm janë çështjet kryesore që po i rëndojnë minatorët e Trepçës.
Kështu deklaroi për Ekonomia Online kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve në ndërmarrjen Trepça, Ibrahim Januzi, duke theksuar se gjendja aktuale po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e minatorëve.
“Po, siç e dini tashmë rëndom mungesa e qeverisë i ka përfshirë të gjitha profesionet dhe të gjitha profilet në vendin tonë. Vonesa e qeverisë ka ndikuar në jetën e qytetarëve, po ashtu edhe në jetën e vetë minatorëve në raport me kushtet e punës dhe çështjet sociale.
Sa i përket kushteve të punës, nuk ka ndonjë përmirësim dhe gjendja është jashtëzakonisht shumë e rëndë për shkak të mungesës së investimeve në aspektin e çështjeve të sigurisë dhe shëndetit në punë. Dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e vetë minatorëve”, tha ai.
Ai theksoi se prioritet i menjëhershëm duhet të jetë zgjidhja e çështjeve sociale përmes një ligji të veçantë për minatorët, që garanton pensionim të parakohshëm dhe trajtim të dinjitetshëm,“Prioriteti në këtë mandat duke marrë për bazë edhe njohuritë edhe rrethanat e informimit që i kam për gjendjen e ndërmarrjeve, konkretisht ndërmarrjen Trepça, prioritet kryesor është çështja sociale e vetë minatorëve që është një ligj për minatorët, që është pensionimi i parakohshëm me standardet e duhura, me një pension të dinjitetshëm, dhe normal po bëhet fjalë edhe për njohjen e sëmundjeve profesionale dhe trajtimin e tyre, dhe gjithashtu marrjen e obligimeve të shtetit për trajtimin e minatorit, sepse të punosh nëntokë për 40 vite është e pamundur të mos të kesh sëmundje profesionale”, tha Januzi.
Duke folur për pagat, Januzi tha se minatorët nuk janë të kënaqur me nivelin aktual të të ardhurave, por kanë treguar mirëkuptim për shkak të gjendjes financiare të ndërmarrjes.
