Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj sjelljes dhe gjuhës së përdorur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, gjatë seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nagavci e ka cilësuar të papranueshme mënyrën e komunikimit të Zemajt, duke thënë se gjuha fyese dhe agresiviteti nuk kanë vend në institucionet e vendit dhe as në shoqëri.
Ajo ka pretenduar se kjo nuk është hera e parë që Zemaj përdor një gjuhë të tillë, duke e cilësuar sjelljen e tij si të përsëritur dhe si tregues të mungesës së kulturës së debatit dhe respektit për mendimet ndryshe.
Nagavci ka theksuar veçanërisht rëndësinë e respektimit të grave në politikë, duke thënë se përpjekjet për frikësim dhe fyerjet nuk mund ta pengojnë një grua të përfaqësojë qytetarët dhe të ushtrojë mandatin e saj.
“Gratë në politikë nuk kanë nevojë për lejen e askujt për ta ngritur zërin, për të mbajtur qëndrime dhe për të ushtruar mandatin e tyre me dinjitet”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, deputetja e LVV-së ka kërkuar që përplasjet politike të zhvillohen përmes argumenteve dhe jo përmes fyerjeve, shpifjeve apo sulmeve personale.
“Debati politik duhet të zhvillohet me argumente, jo me fyerje e frikësim”, ka përfunduar Nagavci.
Postimi i plotë:
Gjuha dhe sjellja e përdorur sot nga deputeti Armend Zemaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë të papranueshme dhe nuk kanë vend jo vetëm në një institucion ku duhet të mbizotërojnë argumenti, përgjegjësia dhe respekti, por askund.
Kjo nuk është hera e parë që Armend Zemaj shfaq një sjellje të tillë. Agresiviteti dhe gjuha fyese janë sjellje të përsëritura, që dëshmojnë mungesë të kulturës së debatit, të edukatës dhe të respektit për qëndrimet ndryshe.
Një gjuhë e tillë përcjell një mesazh të gabuar në shoqëri dhe jep një shembull të keq, veçanërisht për brezat e rinj, duke rrezikuar normalizimin e fyerjes dhe agresivitetit si mënyrë e debatit politik.
Përkushtimi i secilës grua për të përfaqësuar qytetarët, për të mbrojtur qëndrimet e saj dhe për të ushtruar përgjegjësitë institucionale nuk mund të cenohet nga fyerjet apo përpjekjet për frikësim.
Më vjen keq për atë që është e çfarë përfaqëson, por nuk na ndal e as na intimidon. Jo me fjalë fyese, jo me shpifje, jo me sulme rrugaçërie. Gratë në politikë nuk kanë nevojë për lejen e askujt për ta ngritur zërin, për të mbajtur qëndrime dhe për të ushtruar mandatin e tyre me dinjitet.
Debati politik duhet të zhvillohet me argumente, jo me fyerje e frikësim.