Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka folur për themelimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.
I ftuar në emisionin “FIVE” në televizionin Dukagjini, Kastrati u shpreh se kjo forcë është shumë e nevojshme për Republikën e Kosovës dhe se ai personalisht e ka kërkuar prej kohësh. Megjithatë, ish-komandanti thekson se ky vendim nuk duhet të merret në kohë fushate.
“Kemi diskutuar edhe më herët se Kosovës i duhet një forcë e ngjashme me xhandarmërinë, dhe nuk do të thotë që patjetër të quhet xhandarmëri. Por duhet të jetë jo më pak e trajnuar dhe e pajisur sesa Njësia Speciale ‘ROSU’, sepse ne jemi ballafaquar disa herë me probleme, kur forcat serbe kanë hyrë në territorin tonë dhe kanë kidnapuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Kemi parë që ata policë nuk kanë qenë të përgatitur, as të pajisur me armatim, pajisje apo trajnime adekuate. Për këtë, shumë më herët kam propozuar që Kosova duhet të fillojë të mendojë në këtë drejtim, por fatkeqësisht jo në këtë kohë. Jo në kohë fushate”, u shpreh Kastrati.
Ai shtoi se misioni i kësaj force do të ishte parandalimi i kalimeve ilegale, luftimi i terrorizmit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimi i sigurisë për qytetarët që jetojnë në zonat kufitare. Sipas tij, kjo forcë do të duhej të ishte e pajisur me armatim dhe pajisje më të sofistikuara sesa ato që posedon aktualisht Policia e Kosovës.
