Reshat Maliqi, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka thënë se nga përvoja e tij, muajt mars, prill dhe maj janë muajt në të cilët ndodh numri më i madh i vrasjeve. Të hënën në orët e para të mëngjesit një person u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur në Gjakovë.
Për këtë rast Maliqi ka thënë se beson në profesionalizmin e ish-kolegëve dhe se i dyshuari për këtë vrasje që është në arrati do të arrestohet.
Maliqi në Tëvë1, ka thënë se pavarësisht rasteve që ndodhin , Kosova në aspektin e përgjithshëm të sigurisë është shumë më lartë se vendet e rajonit.
“Nga përvoja ime shumë vjeçare ku i kam kaluar 50 vite në uniformë, muajt e pranverës janë muajt më të rrezikshëm kur ndodhin raste të tilla, ngatërresë të qytetarëve. Tani veç kemi një klimë ma të volitshme, zakonisht në muajin mars, prill dhe maj është numri më i lartë i vrasje, ndërsa muajt tjerë janë me të qetë. Besojmë se sa i përket gjendjes së përgjithshme të sigurisë, Kosova qëndron më së miri në rajon me numrin me të ulët në rajon sa i përket vrasjeve”, ka thënë ai.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka dhënë detaje për krejt atë se çfarë dihet deri më tash për vrasjen dhe plagosjen në Çarshinë e Vjetër në Gjakovë.
Zëdhënësi i Policisë, Sheremet Elezaj para mediave tha se për rastin janë njoftuar në orët e para të mëngjesit.

