Pas vendimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në Kosovë dhe jashtë saj kanë nisur protesta të njëpasnjëshme në mbështetje të tyre.
Që nga ajo datë, çdo ditë janë mbajtur tubime dhe protesta, ndërsa mobilizimi pritet të kulmojë më 1 tetor me Marshin për Liri në Prishtinë, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.
Protestat janë zhvilluar me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta, ndërsa mesazhet kryesore kanë qenë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe kundër vendimit të fundit të dhënë në Hagë.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për Marshin për Liri që do të mbahet më 1 tetor në Prishtinë, duke thënë se pret pjesëmarrje të madhe të qytetarëve nga Kosova, diaspora dhe trevat shqiptare.
Gucati ka thënë se protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të nisura pas vendimit të 16 shtatorit në Hagë, do të vazhdojnë.
Ai ka bërë thirrje që marshi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, duke kërkuar nga pjesëmarrësit që të jenë të kujdesshëm dhe të mos ketë fyerje apo përplasje me Policinë e Kosovës.
‘’Një vendim i padrejtë u është shprehur ish krerëve të UCK-s tash protesta kemi pasur që nga data 16 shtator e deri më sot kështu që ne nuk do të ndalemi deri më 1 tetor protesta, nga marshi i 1 tetorit pres që ti bashkëngjitëm por gjithmonë duke u angazhuar që protesta të jetë e qetë, të jemi të kujdesshëm të mos fyejmë policinë tonë, unë pres njerëz nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë që të bashkohen në këtë protestë paqësore’’, tha Gucati për Front Online.

