Kryeministri Albin Kurti e përmendi çështjen e integrimit të sistemit shëndetësor dhe arsimit në kornizën ligjore të Kosovës pas takimit të djeshëm me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, të cilin e priti në Prishtinë.
Ai tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës”.
“Ky legalizim në praktikë do të përkthehet jo vetëm në zbatim të plotë të ligjit gjithandej Republikës së Kosovës, por edhe në më shumë cilësi të këtyre shërbimeve, më shumë financim, më shumë prezencë dhe e tëra kjo nënkupton më shumë siguri për qytetarët të cilët i konsumojnë të njëjtat shërbime. Pra qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo së drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimit, por t’i gëzohet benefiteve të cilat do të rezultojnë nga ky proces”, shtoi Kurti.
Kryeministri u zotua se kjo do të bëhet “në koordinim të ngushtë” me të dërguarin e BE-së, por edhe me serbët lokal.
“Natyrisht se për ne është e qartë që i gjithë procesi i legalizimit merr kohë. Poashtu e nënvizoj që i gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialog, por edhe në koordinim e në konsultim të vazhdueshëm me serbët lokal. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët e komunitetit serb të besojnë në përfitimet nga procesi si dhe detyrimet të cilat burojnë nga marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit dhe korniza ligjore e Republikës së Kosovës”, tha ai.
