Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përfaqësues Ehat Miftarajn- drejtor ekzekutiv në IKD, ka ushtruar padi në Gjykatën Supreme ndaj Ministrisë së Financave, duke kërkuar të shpallet i paligjshëm dhe të shfuqizohet paragrafi 2 i nenit 50 të Rregullores për Rregullimin e Marrëdhënies së Punës për Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, që ka të bëjë me ndryshimin e statusit të personave që kanë akt-emërime pa afat.
Sipas IKD-së, kjo dispozitë duhet të shfuqizohet si e kundërligjshme.
Fillimisht, në padi sqarohet se më 14 dhjetor 2023, Kuvendi miratoi Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, i cili Ligj përmes nenit 79, rregullonte emërimin dhe mandatin e pozitave drejtuese në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), raporton “Betimi për Drejtësi“.
Paragrafi 2 i këtij neni, thuhet se përcaktoi mandat katër vjeçar, me mundësi vazhdimi, për emërimet në pozitat drejtuese të përcaktuara në nënparagrafët 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4, pas zhvillimit të procedurave të rekrutimit të përcaktuara me ligj.
Në anën tjetër, sipas IKD-së, paragrafi 4 i nenit 79 përcaktoi që zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm dhe drejtorëve të departamenteve qendrore e rajonale, të cilët mbanin akt-emërime pa afat, t’u përfundonte mandati një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Paragrafi 6 përcaktoi rikthimin në pozitën paraprake vetëm për ata të cilëve nuk u vazhdohej mandati dhe që kishin pasur pozitë paraprake në ATK.
Më pastaj, thuhet se më 8 mars 2024, zyrtarët drejtues të ATK-së me akt-emërime pa afat iu drejtuan Institucionit të Avokatit të Popullit, duke pretenduar se përfundimi ex lege i mandateve të tyre cenonte të drejtat e fituara, sigurinë juridike dhe mbrojtjen kushtetuese të pronës. Pas kësaj, Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesë.
Andaj, Gjykata Kushtetuese me aktgjykimin e publikuar më 8 maj 2025, konstatoi se paragrafët 4 dhe 6 të nenit 79 të Ligjit Nr. 08/L-257 nuk janë në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe i shpalli të pavlefshëm.
“Në paragrafin 260 të Aktgjykimit KO159/24, Gjykata Kushtetuese sqaroi se mandati katër (4) vjeçar i përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 79 afekton punonjësit që emërohen apo përzgjidhen në pozita drejtuese në ATK pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Ndërsa në paragrafin 281, në pjesën për efektet e Aktgjykimit, Gjykata përcaktoi shprehimisht se zbatimi i nenit 79, në kuptim të përfundimit të mandateve të pozitave drejtuese të përcaktuara me nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4, nuk mund të bëhet pa plotësim-ndryshimin e kësaj dispozite nga Kuvendi, në pajtim me gjetjet e Aktgjykimit dhe me Kushtetutën”, citohet në padi.