Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se qeveria e Kosovës do duhej që të themelonte grantin e katërt në mënyrë që komunat e Kosovës të përfitojnë një ndarje të barabartë të buxhetit. Ibrahimi ndarjet buxhetore për investime kapitale nëpër komuna e ka cilësuar si fenomen që po përsëritet vit pas viti dhe siç tha vetëm granti i katërt është zgjidhja për këtë çështje. Deklarata e Ibrahimit pasoi një analizë të institutit GAP ku ka theksuar se shpërndarja e investimeve kapitale nga niveli qendror është i pabarabartë duke favorizuar komunat e udhëhequra nga LVV.
“Ky është fenomen i cili ndalohet nëse themelohet granti i katërt. Ka pasur implikime politike, shumica absolute e kryetarëve kanë ngritur këtë shqetësim që ka pasur në disa raste edhe kritere politike në ndarjet buxhetore nga ministritë e linjës. Është shumë me rëndësi të theksohet se këto ndarje buxhetore po bëhen nga ministritë e linjës dhe jo nga qeveria si të tilla. “, tha Ibrahimi.
Ibrahimi tha se shqetësimi më i madh i kryetarëve të komunave të Kosovës është se ministritë e linjës po kryejnë investime nëpër komuna të caktuara edhe pse kompetenca ligjore për këto investime është e komunave.
