Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mëngjesin e 26 nëntorit kishte bërë kërkesë në qeveri për 11.5 milionë euro buxhet për organizimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
E kur kanë kaluar 10 ditë nga kjo kërkesë, gazetarja e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, njofton se ekzekutivi tashmë ka reaguar.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka thënë se këtij institucioni i janë ndarë më 4 dhjetor rreth 5.5 milionë euro, që janë më pak se gjysma e mjeteve të kërkuara.
“Mund të konfirmoj se më 4 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete buxhetore në vlerë rreth 5.5 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, për periudhën që mbulon viti buxhetor 2025. Kërkesa buxhetore e KQZ-së për këtë proces ka përfshirë shpenzimet e parashikuara për dy muajt e fundit të këtij viti buxhetor, gjatë të cilëve KQZ është duke realizuar aktivitetet e ndryshme organizative”, deklaroi Elezi për Klan Kosova.
Më 12 dhjetor do të fillojë votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës dhe çdo ditë vonesë, siç mëson televizioni, rrezikon që fletëvotimet të dërgohen me kohë në adresë të votuesve.
