Pak ditë më parë, në lajm i trishtë ka ardhur nga komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi u njoftua se u nda nga jeta Lisa Milicaj Bajraktari, bashkëshortja e shqiptaro-amerikanit, Harry Bajraktari.
Bajraktari i cili shprehu dhimbjen e tij për këtë humbje, ka njoftuar se Lisës i është dhënë lamtumira e fundit.
E ndjera u përcoll me rite fetare, teksa të pranishëm ishin shumë familjarë, miq e figura të rëndësishme poltike e jo vetëm, për të nderuar jetën dhe veprën e saj.
Në shenjë falenderimi për secilën figurë që gjeti rastin ta ngushëllonte Bajraktarin për këtë humbje, ai shkroi:
Lamtumirë, e Dashur Lisa
Falenderoj nga zemra të gjithë ata që na qëndruan pranë
3 gusht 2026
Nga Harry Bajraktari
Ditët e fundit kanë qenë ndër më të vështirat e jetës sime. Lamtumira me Lisën, bashkëshorten dhe shoqen time të jetës, ka lënë në zemrën time një zbrazëti që fjalët nuk mund ta përshkruajnë.
Megjithatë, në momentet tona më të vështira, familjet Bajraktari dhe Milicaj ishin të rrethuara me dashurinë, respektin dhe ngushëllimin e shumë familjarëve e miqve që erdhën nga mbarë bota dhe na kontaktuan përmes telefonatave, letrave, mesazheve, luleve dhe lutjeve
Disa e kishin njohur Lisën prej shumë vitesh. Të tjerë e njihnin përmes shërbimit publik, biznesit apo kontributit të saj për Amerikën dhe çështjen shqiptare. Prania e tyre na kujtoi se sa shumë jetë kishte prekur Lisa.
Homazhet dhe pritja e ngushëllimeve u mbajtën më 31 korrik 2026, në Shtëpinë e Funeraleve “Pleasant Manor”, në Thornwood të Nju Jorkut.
I jam thellësisht mirënjohës kongresmenit Ritchie Torres, miku im dhe miku i madh i shqiptarëve, i cili erdhi për të shprehur ngushëllimet dhe i dorëzoi familjes sonë një flamur amerikan që valoi mbi Kupolën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara më 29 korrik 2026, në nderim të Lisës. Ishte ky një nder i madh për Lisën e cila e donte jashtëzakonisht shumë Amerikën.
Kongresmeni Mike Lawler, miku im dhe miku i madh i shqiptarëve, na nderoi me praninë e tij në meshë dhe në lutjet për shpirtin e Lisës. Prania e tij dhe mbështetja që na dha nderoi familjen tonë.
Ambasadori William Walker erdhi për të shprehur ngushëllimet e tij dhe për të nderuar Lisën dhe familjen tonë. Ishte nder i madh të kishim pranë nesh njeriun që ndihmoi në shpëtimin e popullit të Kosovës.
Rasim Hasanaj, ish-Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri, udhëtoi nga Tirana për të qenë me ne. Nuk gjej dot fjalët për të shprehur se sa shumë më ka nderuar prania e tij.
Falënderoj gjithashtu Kol Milicajn, kushëririn e Lisës, i cili udhëtoi nga Zvicra për të qenë me ne.
Kryetari i Qarkut Westchester, Ken Jenkins, dhe Kryetari i Bashkisë së Yonkersit, Mike Spano, gjithashtu na u gjendën pranë. I falënderoj të dy që gjetën kohën për të qenë me ne.
E falënderoj Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili nderoi familjen tonë me një telegram ngushëllimi. I jam mirënjohës gjithashtu Princ Lekës për mesazhin e tij të ngrohtë.
Morëm letra dhe mesazhe edhe nga ish-Presidentët e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga dhe Vjosa Osmani. I falënderoj të gjithë që më nderuan mua dhe familjen time.
I jam shumë mirënjohës ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, dhe bashkëshortes së tij, Lilit, të cilët shprehën ngushëllimet e tyre dhe dërguan një kurorë të bukur me lule në kujtim të Lisës.
Dëshiroj të falënderoj ish-Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe bashkëshorten e tij, Anitën, të cilët ishin ndër të parët që më kontaktuan pasi morën vesh për ndarjen nga jeta të Lisës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i Kosovës, Dimal Basha, erdhi për homazhe dhe përcolli ngushëllimet në emër të Kryeministrit Albin Kurti.
Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Mal Berisha, ishte gjithashtu me ne, ashtu si edhe Dr. Rifat Latifi, ish-Ministër i Shëndetësisë i Kosovës. Prania e tyre nderoi shumë familjen tonë.
U nderuam gjithashtu me praninë e gjyqtares së parë shqiptaro-amerikane në New York Edit Shkreli, si dhe të ish-anëtarit të Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj.
Dëshiroj të falënderoj gjithashtu Diamant Hysenajn, kandidatin republikan për distriktin e 14-të të Kongresit në Nju Jork, i cili, së bashku me bashkëshorten, qëndroi me ne gjatë ceremonisë mortore, shërbesës kishtare dhe varrimit.
I jam mirënjohës gjithashtu për mesazhet e ngushëllimit Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ferit Hoxha; Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri; deputetëve Armend Zemaj, Besnik Tahiri dhe Vigan Qorrolli; ish-deputetes Donika Kadaj-Bujupi; ish-Ambasadores Vlora Çitaku; si dhe ambasadorëve Ilir Dugolli, Blerim Reka dhe Ervin Bushati.
Falënderoj gjithashtu ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli; ish-Ambasadorin Bekim Sejdiu; ish-Kryetarin e Bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj; filantropin Lazim Destani; ish-Ambasadorin Flamur Gashi; studiuesin dhe autorin Bejtullah Destani; ish-diplomaten Teuta Sahatqija; Sazar Jakupin, i cili na kontaktoi nga Australia; si dhe ish-Ambasadorin Genc Muçaj.
I jam mirënjohës gjithashtu Profesor Arben Sulejmanit, drejtues i marrëdhënieve me jashtë pranë Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, i cili shprehu ngushëllimet në emër të Baba Mondit, udhëheqësi i Kryegjyshatës Botërore bektashiane.
Falenderoj edhe ish-Ministrit Ahmet Shala, i cili më telefonoi nga Vietnami; Dr. Albina Balidemaj Basha dhe Gjeneral Xhavit Gashin nga Universiteti Amerikan i Kosovës për letrën e ngushëllimit; si dhe gazetaren e Newsmax, Lidia Curanaj, për mesazhin e ngushëllimit.
Shumë mirënjohës që kishim pranë në homazhe Dom Pjetër Popajn, Imam Edin Gjonajn dhe At José Félix Ortegën, të cilët na ofruan lutjet dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre ditëve të vështira.
I jam mirënjohës edhe Imzot Dodë Gjergjit, i cili më ngushëlloi dhe më njoftoi se ka organizuar një meshë në nderim të Lisës në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Edhe Muhamet Boja, djali i ish-Myftiut të nderuar Rexhep Boja, na kontaktoi për të shprehur ngushëllimet e tij.
Një falënderim i veçantë shkon për Dr. Alan Coffino, i cili u kujdes për Lisën gjatë viteve të fundit të jetës së saj dhe ishte pranë nesh për të nderuar kujtimin e saj.
Me ne ishin gjithashtu shumë anëtarë dhe liderë të komunitetit shqiptaro-amerikan nga e gjithë zona e tri shteteve (New York, New Jersey dhe Connecticut).
Kemi marrë edhe shumë letra dhe mesazhe të tjera nga miq në mbarë botën.
Meqenëse është e pamundur të përmend secilin që erdhi, telefonoi, shkroi, dërgoi lule apo bëri lutje, më lejoni t’ju falënderoj secilin prej jush nga thellësia e zemrës. Ju falënderoj dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve.
Më 1 gusht 2026, Dom Pjetër Popaj mbajti meshën dhe lutjet për shpirtin e Lisës në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut.
Gjatë shërbesës, djali im, Florim Bajraktari, mbajti një fjalim në kujtim të Lisës, në emër të familjes sonë. Ai foli për përkushtimin e saj ndaj familjes, dashurinë për Amerikën, krenarinë për trashëgiminë shqiptare dhe angazhimin e saj ndaj komunitetit shqiptaro-amerikan dhe çështjeve shqiptare.
Kur Florimi përfundoi fjalën, të pranishmit e pritën me duartrokitje. Ishte një moment emocionues për familjen tonë.
Pas shërbesës kishtare, u nisëm për në Varrezat në ‘Washington Memorial Park’, në Mount Sinai të Long Islandit, Nju Jork, ku Lisa u përcoll për në banesën e fundit në parcelën e familjes Bajraktari. At Robert Kuznik i Kishës Katolike Shën James udhëhoqi ceremoninë e varrimit dhe lutjet e fundit.
Ky ishte momenti më i vështirë për ne. Por, ndërsa qëndronim së bashku për lutjet e fundit, të rrethuar nga familjarë e miq, e ndjemë sërish se nuk ishim vetëm në këtë dhimbje.
Lisa më ka lënë amanet që unë të qëndroj i fortë për familjen tonë dhe të vazhdoj të punoj për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për çështjen shqiptare. Pikërisht kështu do ta nderoj kujtimin e saj: duke çuar përpara misionin dhe vlerat në të cilat ajo besonte.



Shpirti i saj u prehtë ne paqe. Zoti e bekoftë shpirtin e saj dhe Zoti ju bekoftë ju të gjithëve
