Një person dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së punonjësve të KRU Mitrovica, të mërkurën në fshatin Pantinë të Vushtrrisë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, tre punonjësit e KRU Mitrovica kishin shkuar në këtë fshat për ta shkyçur një konsumator nga rrjeti i ujësjellësit, kur i dyshuari ka qëlluar në drejtim të automjetit të tyre.
Përveç të shtënave me armë, i dyshuari i ka ofenduar dhe kanosur punonjësit, ndërsa më pas është larguar në drejtim të panjohur.
Lidhur me rastin, në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti për veprat penale “Kanosje”, “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
“KANOSJE & PËRDORIM I ARMËS & MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL APO POSEDIM I PAAUTORIZUAR I ARMËVE
Fsh. Pantinë, Vushtrri 29.07.2026 – 11:55. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës kur gjendeshin tre viktimat meshkuj kosovarë punëtorë të KRU Mitrovica, të cilët kishin shkuar ta shkyçin nga rrjeti i ujësjellësit. Po ashtu, i dyshuari i ka ofenduar dhe kanosur viktimat dhe është larguar në drejtim të panjohur. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti dhe mbetet në hetime”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.