Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se “ka dyshime” se “pesë anëtarë shqiptarë” të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), po synojnë të kthejnë në punë gjyqtarët serbë, të cilët kanë tërhequr dorëheqjet e tyre.
Gjyqtarë e prokurorë serbë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Hyseni thotë se “gjyqtarët serbë kishin dhënë dorëheqjen me urdhrin e Vuçiqit” dhe se tash “të njëjtit – prapë me urdhër të Vuçiqit – po kërkojnë të kthehen në detyrë pa asnjë procedurë”.
“Ka dyshime se 5 anëtarë shqiptarë në KGJK po synojnë t’i kthejnë në punë këta gjyqtarët e Vuçiqit, edhe pse është komplet e kundërligjshme. E kanë obligim ligjor e moral që dorëheqjet të procedohen sa më shpejtë te Presidentja”, ka shkruar ajo.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, para dy ditësh ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Për këtë veprim të Haxhiut pati reagime nga Bashkimi Europian, i cili tha se i ka bërë vazhdimisht thirrje Kosovës që të mundësojë riintegrimin e personelit gjyqësor serb të Kosovës, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe marrëveshjet e dialogut.
“BE-ja mirëpret tërheqjen, më 15 korrik 2026, të dorëheqjeve të paraqitura nga gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i Kosovës. BE-ja shpreh shqetësim për vendimin e djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që tashmë ishin tërhequr, si dhe për vendimin e sotëm të presidentes në detyrë për t’i dekretuar ato dorëheqje. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë”, tha BE.
