Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se vendi po përballet me “gjendjen politike më të rëndë” që prej vitit 1999.
“Prej ’99 e deri sot, më 1 shtator, nuk ka pasur një gjendje politike më të rrezikshme, më të rëndë, sesa gjendja politike që e kemi sot në Kosovë”, tha ai në foltoren e Kuvendit, ku deputetë të PDK-së dhe Aleancës shkuan sërish për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.
Hoxhaj tha se themelet e shtetit janë “të rrënuara” sot.
“Ne e kemi shpallë pavarësinë e Kosovës, e kemi miratuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, jemi zotuar për një Republikë demokratike dhe parlamentare dhe nga 6 dhe 8 gushti i këtij viti këto themele të shtetit tonë janë të rrënuara. Kemi një gjendje të përhershme të shkeljes së Kushtetutës, e cila ka vetëm një emër: puç kushtetues, dhe kemi një suprimim të demokracisë”, tha ai.



