Ish-kryediplomati, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në debatin e nivelit të lartë “Angazhimi i besueshëm në Jug”, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Berlin, ku ka theksuar nevojën për një angazhim më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan.
Në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe fotografi nga paneli, Hoxhaj ka vlerësuar se zhvillimet aktuale ndërkombëtare po ndodhin në një periudhë pasigurie dhe ndryshimesh të thella në rendin botëror.
“Theksova se po jetojmë ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet perandorake të Rusisë e bëjnë të domosdoshëm një rol më të fuqishëm të BE-së në Ballkan, duke përfshirë edhe fushën e sigurisë.



