Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit dhe protestat në Shqipëri, duke bërë thirrje për maturi, përgjegjësi dhe ruajtje të stabilitetit demokratik.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj ka theksuar se protestat dhe zhvillimet politike në Shqipëri janë çështje të brendshme që duhet të trajtohen nga institucionet demokratike dhe mekanizmat kushtetues të shtetit shqiptar.
“Për ne në Kosovë, dhe për çdo shqiptar kudo që jeton, Shqipëria nuk është thjesht një shtet fqinj. Ajo është faktor vendimtar për pozitën e shqiptarëve në rajon dhe në Evropë. Prandaj, stabiliteti, zhvillimi dhe forcimi i saj janë interes i përbashkët”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka vlerësuar arritjet e Shqipërisë në vitet e fundit, duke përmendur anëtarësimin në NATO, hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe forcimin e rolit të saj në arenën ndërkombëtare.
