Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur ditën e djeshme se Bashkimi Evropian do t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës në fund të janarit. Këto masa u vendosën ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri.
Presidentja Osmani këtë lajm e dha pas Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ku ka thënë se ka marrë konfirmimin nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se masat do të hiqen tërësisht në janar.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe i hiqet sot, kurse pjesa tjetër në fund të janarit. Rrjedhimisht, edhe fondet do të zhbllokohen, një pjesë shumë e madhe menjëherë e një pjesë tjetër në fund të janarit”, ka thënë ajo.
Fillimisht, të martën, BE-ja hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura më 2023. Sipas letrës nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte si rrjedhojë e asaj që është vlerësuar “transferim i duhur i pushtetit lokal në veri”, pas zgjedhjeve të tetorit.

