Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, duke theksuar se duhet të vazhdojë procesi i çmontimit të strukturave të mbetura të institucioneve serbe.
Deklarata e tij ka nxitur reagime nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi dhe Mefail Bajqinovci, të cilët e kanë kritikuar Hazirin, duke i kujtuar se gjatë qeverisjeve të mëparshme zgjedhjet e Serbisë janë lejuar të mbahen në Kosovë.
Serbia pritet të mbajë zgjedhje më 25 tetor, ndërsa Qeveria e Kosovës, që nga viti 2021, nuk ka lejuar organizimin e tyre në territorin e vendit. Ditë më parë, në veri të Kosovës, u ndalua edhe zhvillimi i fushatave zgjedhore të Serbisë.
Në një intervistë për KosovaPress, Haziri është shprehur kategorikisht kundër mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë.
“Natyrisht që jo, në asnjë mënyrë. Ka fragmente të institucioneve të Serbisë në Kosovë, ka fosile dhe mbetje, por çmontimi i institucioneve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë ka filluar dhe ka ndodhur më 12 qershor 1999. Krejt ato mbetje që na kanë përcjellë si problem janë çështje kohe dhe janë larguar, edhe kanë për t’u larguar tërësisht”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka theksuar se duhet të garantohet barazia e të gjithë qytetarëve dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës.
“Ne çka duhet të garantojmë është që çdo qytetar i Kosovës duhet të ketë të drejtë të jetojë në atdheun e vet, të jetojë mirë në atdheun e vet, të trajtohet barabartë dhe të integrohet me besim në institucionet e Republikës”, ka thënë Haziri.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratës së Hazirit, duke thënë se kundërshtimi i tij vjen pasi Qeveria Kurti tashmë ka ndaluar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.




