Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas sulmit ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, ku mbetën të plagosur 10 punonjës policie.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Hita e cilësoi ngjarjen si një akt të rëndë dhune, duke theksuar se sulmet ndaj institucioneve dhe uniformave blu nuk mund të justifikohen në emër të protestës
Sipas deklaratës së kreut të Policisë së Shtetit, sulmi ndodhi në orët e mbrëmjes, kur grupe personash të maskuar përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës së komisariatit dhe punonjësve që ndodheshin në shërbim.
Hita bëri të ditur se punonjësit e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave. Ai theksoi gjithashtu se sulmi krijoi rrezik serioz për jetën e efektivëve, si dhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të komisariatit.
“Sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë”, u shpreh Hita, duke nënvizuar se përdorimi i mjeteve të rrezikshme kundër punonjësve të Policisë përbën dhunë të rëndë dhe dënohet nga ligji.
Kreu i Policisë bëri të ditur se edhe gjatë ditës janë regjistruar sulme të tjera ndaj efektivëve, me gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë.
Sipas tij, prej gjashtë ditësh punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërsa vijojnë të përmbushin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.




