Pas ideologut të Putinit, Alexandër Dugin, i cili përkrahu protestat e Tiranës, sot ka dalë në skenë edhe Moska zyrtare.
Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësja e ministrisë së Jashme të Rusisë, Maria Vladimirovna, Zaharova ka sulmuar direkt kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në një deklaratë të shpërndarë edhe nga ambasada ruse në Tiranë, Zaharova thekson: “'Kryeministri i Shqipërisë ka akuzuar Rusinë dhe Iranin se qëndrojnë pas trazirave në vend. Edi Rama deklaroi se protestat janë vepër e të huajve që nuk duan që Shqipëria t'i bashkohet BE-së.'
Jo, Edi Rama, janë qytetarët e vendit Tuaj që kanë dalë në rrugë në protestë, dhe Ju nuk duhet t'i hidhni fajin të tjerëve. Rregulloni vetë problemet Tuaja të brendshme”.
Kreu i qeverisë shqiptare në fakt nuk akuzoi Moskën direkt për ndërhyrje të brendshme, thjesht citoi deklaratën e Alexandër Duginit, i cili është ideologu i asaj që quhet Rusia imperialiste. Dugin, ka qenë aktiv për zhvillimet në Shqipëri edhe herët e tjera, madje ka një portal të njohur ideologjik “Euroazia”, i cili prej vitesh ka edhe një faqe në gjuhën shqipe dhe i drejtohet publikut shqiptar, e ka folur për zhvillimet këtu sa herë ka pasur probleme.
Rasti i ngjashëm i hyrjes së tij në argumentet tona ka qenë viti 2017, kur ndodhën trazirat në Shkup dhe dora ruse u zbulua qartë.
Megjithatë, ndërhyrja e Zaharovës, edhe pse duket se është një polemikë, nuk është e tillë. Pasi kreu i qeverisë nuk e thirri në skenë as Kremlinin e as diplomacinë e Moskës.




