Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit ka thënë se nuk ka pasur deri tani ndonjë kërkesë të proceduar për seancë të jashtëzakonshme, pas vendimit të Speciales.
Haxhiu tha se, sapo të pranohet një kërkesë e tillë, ajo do të procedohet, ndërsa bëri të ditur se kryesia është dakorduar që seanca e radhës të mbahet të hënën.
“Sa u përket kritikave, nuk ka pasur kërkesë që është proceduar për seancë të jashtëzakonshme. Sapo të më vij kërkesa, do ta procedoj. Ne sot jemi dakorduar që të procedojmë seancën e së hënës. Është e rëndësishme të funksionalizojmë kuvendin dhe uroj që të hënën ta bëjmë këtë”, tha Haxhiu.
Duke folur për projektligjin e proceduar nga PDK-ja, Haxhiu tha se çdo veprim institucional pas vendimit të Gjykatës Speciale duhet të bëhet me kujdes.
Ajo tha se nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, kanë për qëllim vetëm të krijojnë përshtypjen se po ndërmerret ndonjë veprim.




