Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka propozuar nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Në një konferencë për media, ajo ka thënë se ky propozim ka vetëm një qëllim, që të përfitojnë pension kontributpaguesit dhe qytetarët që kanë punuar, por nuk e kanë plotësuar periudhën e nevojshme për të hyrë në skemat pensionale.
Ajo ka thënë se bëhet fjalë për qytetarët që kanë punuar dhe kontribuuar para janarit të vitit 1999, derisa të njëjtit kanë vite pune të dëshmuara, por që sot nuk kualifikohen për pensionin kontributdhënës, për shkak se nuk arrijnë kriterin e përcaktuar me ligj.
“Dikujt i mungojnë disa vite, dikujt disa muaj, por ka edhe që disave u mungojnë edhe disa ditë. Ka njerëz që kanë përvojë plot 44 vite.”, ka thënë ajo.
Për këto kategori, ajo ka thënë se shteti dhe shoqëria duhet të gjejë një zgjidhje, prandaj, sipas saj ka dalë me këtë propozim.
“Ai duhet të marrë një pension në përpjestim me kontributin që ka paguar. Me këtë propozim, ruhen skemat ekzistuese dhe të drejtat e atyre që përfitojnë sipas tyre. Së pari, ruhet pensioni kontributpagues i moshës. Ruhet pensioni parcial kontributpagues për personat e larguar nga puna si rezultat i masave të dhunshme. Propozojmë shtimin e nenit të ri, ku përmes tij, është mundësia për pension kontributpagues proporcional që kanë paguar kontribute, por nuk kualifikohen sipas dy dispozitave të mëparshme.”, ka thënë ajo.




