Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka treguar shqetësimin e ndërkombëtareve me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Ai ka bërë me dije se pas zgjedhjeve kërkesa e vetme e Uashingtonit dhe Brukselit ndaj Kurtit do të jete zbatimi e Aneksit të Ohrit.
Në një intervistë për gazetën Exspress, Hasani ka thënë se zbatimi i kësaj marrëveshje nënkupton vënien në jetë të autonimisë serbe.
“Brukseli dhe Ëashingtoni nuk kanë pasur ndonjë shqetësim për qeverisjen e Albin Kurtit. Shqetësimi i tyre i vetëm ka të bëjë me zbatimin e Aneksit të Ohrit, përkatësisht me vënien në jetë të autonomisë serbe, e cila është pranuar nga zoti Kurti në Ohër më 2023. Asgjë tjetër! Miqve tanë ndërkombëtarë u duhet një adresë me legjitimitet të ri politik, dhe ajo adresë është në dorën e zotit Kurti. Mosreagimi i ndërkombëtarëve për rregullësinë e zgjedhjeve lidhet pikërisht me këtë: urgjenca e tyre për formimin e autonomisë serbe, të cilën ata e shohin si të vetmen zgjidhje për mbrojtjen e komunitetit serb kosovar nga pushteti qendror. Veprimet represive të pushtetit të Kosovës gjatë viteve të kaluara kanë përforcuar urgjencën për implementimin e Aneksit të Ohrit”, ka thënë Hasani.
Ai ka paralajmëruar se presioni për zbatimin e kësaj marrëveshje do të rritet.
“Po. Patjetër. Kjo për faktin se çdo gjë është e qartë dhe nuk lidhet me zgjedhjet në Serbi, meqë kërkohet zbatimi i detyrimeve të marra në Ohër. Zbatimi i tyre në sytë e votuesit në Serbi nuk përbën një problem serioz, sepse ka të bëjë me pjesën e marrëdhënieve ndërkombëtare (mospengimi i antarësimit të Kosovës në struktura ndërkombëtare), jo me marrëdhënie kushtetuese të brendshme, siç është rasti me Kosovën”, ka thënë Hasani.