Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump nuk u procedua për miratim në Kuvendin e Kosovës. Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e miratoi të martën projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani më 22 janar, pasi Lëvizja Vetëvendosje pati vërejtje për nenin 2 të projektligjit dhe kërkoi që ai të ndryshohet.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, tha në një intervistë për Gazetën Express se kjo nuk mund të bëhet “asnjëherë”, duke e quajtur sjelljen e deputetëve të LVV-së në komisionin parlamentar “papjekuri totale”.
“Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës”, thotë ai.
Nëse deputetët kanë vërejtje për përmbajtjen e marrëveshjes, Hasani thotë se sipas standardit ndërkombëtar dhe kushtetues, “duhet ndjekur e njëjta procedurë sipas së cilës është lidhur marrëveshja ose traktati”.
“Kur nuk ekziston pëlqimi i palës tjetër, atëherë çdo përpjekje për ndryshim të traktatit ose marrëveshjes bazë është fyerje ndaj palës tjetër, joseriozitet i palës që ndërmerr atë hap dhe konsiderohet si dalje nga traktati ose marrëveshja, ligjërisht e nënshkruar nga shefi i shtetit të Kosovës, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjin e vendit”.
Hasani thotë se Kosova “duhet ta sqarojë me palën amerikane nëse synon daljen nga zotimi për anëtarësim në Bordin e Paqes. Anëtarësimi në Bordin e Paqes nuk mund të bëhet ndaras nga pranimi i plotë i secilës dispozitë të Kartës së Bordit të Paqes”.
Gazeta Express: Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar Projektligjin për marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, me Lëvizjen Vetëvendosje që pati vërejtje për nenin 2 të projektligjit dhe kërkoi që të ndryshohet ai nen. A mundet Kuvendi ta ndryshojë përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare që tashmë është nënshkruar nga Presidentja, apo në aspektin juridik ajo duhet të ratifikohet vetëm si e tillë, pa ndërhyrje në tekst?
Hasani: Asnjëherë. Kjo është papjekuri totale. Deputetët duhet të pyesin departamentin ligjor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nëse nuk dinë, dhe ata do t’u tregojnë standardet ndërkombëtare se kur dhe si mund të ndryshohet një traktat i nënshkruar nga shefi i shtetit, shefi i qeverisë dhe ministri i jashtëm, por që nuk ka kaluar procedurën e ratifikimit në Kuvend. Kuvendi mund të ndryshojë njëanshëm ligjet e veta, por jo edhe zotimet ndërkombëtare të Kosovës.
Në rastin konkret bëhet fjalë për Kartën e Bordit të Paqes, e cila ka statusin e traktatit ose marrëveshjes ndërkombëtare sipas nenit 18.1 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me aleancat, si dhe çështjet politike dhe ushtarake.
Gazeta Express: Nëse deputetët kanë vërejtje për formulime të caktuara (si në nenin 2), cili është mekanizmi i duhur: ndryshimi i projektligjit shoqërues apo rinegocimi i vetë marrëveshjes ndërkombëtare me palët nënshkruese?
