Konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe një vendim që do ta konstatonte këtë, do të mund ta vinte në pikëpyetje edhe zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4, thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani thotë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit.
Në një skenar të tillë, sipas tij, Kuvendi nuk do të mund të mblidhej, ndërsa fati i Qeverisë së sapozgjedhur do të mbetej pezull.
Komentet vijnë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës kërkoi nga Gjykata Kushtetuese e vendit të vendosë masë të përkohshme lidhur me konstituimin e Kuvendit më 13 shtator.
Ish-kreu i Kushtetueses paralajmëron se kriza mund të prekë edhe procesin e zgjedhjes së presidentit, të cilin, në rrethanat aktuale, e konsideron “komprometues” për vendin.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Hasani, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar të dielën, pa zgjedhjen e nënkryetarit që i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Si e vlerësoni këtë proces nga pikëpamja kushtetuese?
Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit të dielën nuk ka ndjekur asnjë rrugë kushtetuese të përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në veçanti me nenin 67 të saj, me nenin 12 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese që i kanë interpretuar këto dispozita në të kaluarën.
Radio Evropa e Lirë: Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik” dhe u thirr në një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses. Cili është komenti i juaj?
Enver Hasani: Konstatimi i zonjës Haxhiu është fund e krye arbitrar, për shkak se ajo nuk mund të provojë se nga partia e dytë më e madhe politike ka pasur sabotim dhe heqje dorë nga ushtrimi i një të drejte kushtetuese.
Se kur mund të konsiderohet se ka ndodhur një sabotim dhe, për pasojë, mosushtrim i së drejtës kushtetuese për të propozuar kandidatin për nënkryetar, është përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Arsyetimi për tërheqjen e kandidatit të partisë së dytë më të madhe për nënkryetar të Kuvendit duhet të vlerësohet në kontekstin e gjendjes së stërzgjatur jokushtetuese, të krijuar nga zonja Haxhiu dhe, para saj, nga zoti [kryesuesi i seancës konstituive Avni] Dehari, gjatë tërë procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Masa e përkohshme dhe pasojat për Kuvendin
Radio Evropa e Lirë: PDK-ja e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar edhe masë të përkohshme. Çfarë mund të vendosë Gjykata në këtë fazë?
Enver Hasani: Marrë parasysh faktin se në aktgjykimin e saj lidhur me kandidatin serb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar çështjet relevante, përfshirë edhe situatën kur një forcë politike nuk e ushtron të drejtën e saj kushtetuese në procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, është e pritshme që Gjykata të vendosë masë të përkohshme dhe, më pas, të vendosë për meritat e rastit.
Nuk do të ishte profesionale që Gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës.
Gjykata e ka bërë këtë edhe herën e kaluar, kur Kuvendi i Kosovës, në mënyrë jokushtetuese, e konsideroi veten të konstituuar dhe vendi më pas shkoi në zgjedhje.
Tani që situata është sqaruar përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit nuk do të duhej të lejonte që gjendja jokushtetuese të vazhdonte më tej.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për faktin se, sipas të gjithë parametrave kushtetues, situata aktuale ka dalë jashtë binarëve normalë kushtetues dhe mund të ndikojë edhe në një votim eventual për presidentin e Republikës.
Është e sigurt se gjendja jokushtetuese e krijuar në Kuvend prodhon pasoja nga dita e dhënies së betimit të deputetëve e deri te vendimi për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Gjykata e shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit, çfarë pasojash do të kishin vendimet e marra ndërkohë, përfshirë zgjedhja e Qeverisë së re të Kosovës?
Enver Hasani: Sipas rregullit, nëse Gjykata Kushtetuese shpall jokushtetues konstituimin e Kuvendit të Kosovës – diçka që vështirë se mund të mos ndodhë, marrë parasysh atë që thashë më sipër dhe standardet kushtetuese që vetë Gjykata i ka përcaktuar – atëherë ajo duhet të konstatojë edhe jokushtetutshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë Kurti 4 dhe ta rikthejë gjendjen në afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kjo është kështu për dy arsye. E para, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh nuk prodhon si pasojë juridike automatike shkuarjen e vendit në zgjedhje. E dyta, Qeveria Kurti 4 është zgjedhur në votimin e parë, kështu që jokushtetutshmëria eventuale e këtij votimi nuk prek rundin e dytë të procedurës për zgjedhjen e Qeverisë, pas dështimit të të cilit vendi shkon në zgjedhje në përputhje me procedurën kushtetuese të nenit 95 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka rrëzuar Qeverinë Hoti.
Zgjedhja e presidentit “do të ishte komprometuese”
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bashkëpunim për zgjedhjen e presidentit. Sa e mundshme është zgjedhja e presidentit në rrethanat aktuale?
Enver Hasani: Në aspektin politik, mësa duket, nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Kurti në vazhdimësi po ushtron presion mbi opozitën, me tone të qarta shantazhi, se vendi mund të shkojë në zgjedhje.
As kjo, mësa duket, nuk po pi ujë, meqë vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje, pavarësisht pozitës jo të favorshme të opozitës. Kjo gjendje është, siç thotë populli: ‘I laguri për shi nuk ka dert’.




