Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se aktgjykimi i fundit i organit më të lartë për interpretimin e Kushtetutës është “jashtëzakonisht i qartë”, për dallim prej “pararendësit të tij”.
Ai tha në Frontal në T7 se tani, në lidhje me konstituimin e Kuvendit, “është e qartë për secilin se çfarë duhet të bëjë”.
“Ky dispozitiv objektivisht është në favor të tyre, pa asnjë diskutim, meqenëse qartë i jep sqarime dhe një afat të caktuar, një muaj sa i përket mënyrës se si duhet të realizohet prerogative kushtetuese”, tha Hasani, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje.
“As aktgjykimi, as Kushtetuta nuk thonë që partisë fituese i takon kryetari i Kuvendit me çdo kusht dhe kryetari i qeverisë me çdo kusht. Në fakt, as në praktikë kjo nuk ka ndodhur. Ka qenë pjesë e proceseve politike, për të cilat nuk i takon Gjykatës Kushtetuese për të vendosur”, tha Hasani.
Në dispozitivin e aktgjykimit të publikuar të premten, Hasani tha se “janë dy gjëra që janë problematike”.
“Çështja e urdhërimit të deputetëve për të votuar, dhe shihet qartë që është përgjigje në shqetësimet e Vetëvendosjes sa i përket interepretimit se si duhet të votojnë deputetët, dhe e dyta, është pak problematike çështja në gjetje kushtetuese të zotit Dehari dhe tolerimi i tij që të vazhdojë”.
Hasani tha se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka abuzuar me pushtetin dhe atij “është dashur t’i merret e drejta” për ta udhëhequr seancën.
