Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se zhvillimi ekonomik i Kosovës duhet të jetë prioritet kryesor i Qeverisë.
Haradinaj ka theksuar se sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, ndërsa roli i institucioneve dhe i Qeverisë duhet të jetë krijimi i kushteve të favorshme për investime dhe ofrimi i sigurisë për investitorët.
Sipas tij, politikat fiskale duhet të hartohen në bashkëpunim me sektorin privat dhe investitorët, përfshirë ata të huaj.
“Së pari duhet t’i kthehemi zhvillimit të vendit. Dihet se sektori privat është ai që e bën zhvillimin ekonomik. Institucionet dhe Qeveria e bëjnë planin në bashkëpunim me sektorin privat, me investimet dhe investitorët edhe të huaj. Njëkohësisht i bëjnë edhe politikat fiskale dhe u japin siguri investitorëve. Zhvillimi ekonomik, kuptohet, është i pari, pastaj vjen edhe krejt kostoja e jetës, sigurimet shëndetësore dhe sigurimet e tjera. Qytetarët duan të ndihen të sigurt dhe besoj që kjo është me rëndësi të ndodhë”, ka thënë Haradinaj për EO.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, investimet e huaja konsiderohen ndër shtytësit e zhvillimit ekonomik të Kosovës.



