Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj me rastin e fillimit të ri shkollor, ka thënë se në etapa të ndryshme të historisë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare, ngritjen e brezave dhe sfidën për çlirimin e Kosovës.
Sipas tij, ky 1 shtator do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, por sipas kreut të AAK-së, sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor.
Ai rendit vështirësitë më të mëdha që sot po përballet arsimi në Kosovë, dhe në faj lë partinë që doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në etapa të ndryshme të historisë sonë, mësimdhënësit bartën mbi supe barrën e madhe kombëtare; ngritjen e brezave dhe sfidën për çlirimin e Kosovës. Ata sfiduan regjimin famëkeq të Millosheviqit pa asnjë kompensim, ndërsa sot në një situatë normale, 1 shtatori do duhej të ishte ditë feste për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, e sot nuk është gjë tjetër përpos një ditë e zakonshme që shënon veç fillimin e një viti të mundimshëm shkollor”.