Në njoftimin e bërë publik pas takimit, Haradinaj tha se diskutuan mbi zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, si dhe për situatën e krijuar pas bllokadës institucionale që, sipas tij, po zgjat tash e disa muaj.
Ai gjithashtu e falënderoi përfaqësuesen amerikane për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në proceset kyçe për Kosovën dhe për rolin e saj aktiv në zhvillimet e brendshme politike.
Postimi i plotë:
Sot prita në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati, ku diskutuam mbi zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, dhe situatën e krijuar pas bllokadës institucionale që po zgjat tash e sa muaj.
E njoftova znj. Prattipati për qëndrimin e Aleancës dhe përkushtimin tonë për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja që kanë dalë nga zgjedhjet.
Znj. Prattipati e falënderova për rolin e saj aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset e rëndësishme që po kalon vendi ynë.