Ramush Haradinaj, nga tubimi elektoral i numrit 128 në Pejë ka bërë thirrje për mbështetje të kandidatit për kryeministër nga Aleanca, Ardian Gjini, duke e cilësuar atë si “njeriun e krijuar për këtë kohë”.
Para qytetarëve pejanë, Haradinaj tha se në Pejë po ndihej njësoj si në ditën kur ishte kthyer nga Haga, duke kujtuar se qyteti i parë që kishte vizituar pas kthimit kishte qenë pikërisht Peja.
“Borxh i kemi pas kësaj toke, shyqyr e kemi çliru dhe jemi të gëzuar që Peja është kështu si është. Kur jam kthyer prej Hagës, vizitën e parë e kam bërë në Pejë. Nëpër ballkone, në rrugë e në shesh kishte njerëz. Ky qytet është me vlera të mëdha dhe me trashëgimi të hershme”, u shpreh Haradinaj.
Ai tha se e do Pejën dhe Kosovën sepse, siç theksoi, “nuk kemi tjetër”, ndërsa shtoi se para qytetarëve po dilte i lumtur dhe i bindur për drejtimin që duhet të marrë vendi.
