Shqipëria ka hapur zyrtarisht Shkollën Kombëtare të Fluturimit, një projekt që sipas kryeministrit Edi Rama shënon një kapitull të ri për Forcat e Armatosura dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve ushtarake të vendit.
Rama tha se ky institucion i ri përfaqëson një pikë kthese jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për sigurinë rajonale, duke theksuar se shkolla do të funksionojë sipas standardeve të NATO-s për trajnimin e pilotëve ushtarakë.
Ai nënvizoi se shkolla është hapur edhe për kandidatët nga Kosova, duke shtuar se Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, është ngarkuar të komunikojë me homologun e tij në Kosovë për të vlerësuar interesimin për trajnimin e pilotëve të ardhshëm në këtë institucion.
Sipas tij, projekti fillimisht është pritur me skepticizëm, por sot është bërë realitet dhe po hap mundësi të reja për të rinjtë që synojnë karrierë në aviacionin ushtarak.
“U prit me humor si fillim, pastaj vazhdoi me akuza për falimentim dhe ja ku jemi sot shkolla kombëtare e fluturimit çel dyert e saj. KAYO ka marrë formë të plotë me një sërë partneritetesh. Sot forca jonë e armatosur është më e mirëpaguara në rajon dhe ambicia jonë është që në rrugën drejt BE, ata do të jetë në mesataren e forcave të NATOs- përsa i përket kontributit të shtetit të taksapaguesve për pagat e tyre.
