Plisi shqiptar, një simbol mijëvjeçarë i kombit tonë, për të cilin është hapur një peticion online që të hyjë në UNESCO. Mijëra qytetarë po i bëjnë thirrje UNESCO-s që ky artefakt unik të përfshihet në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Plisi, kapela autoktone, është veshur nga shqiptarët prej shekujsh. Në krahinat e ndryshme ai ka emërtime të ndryshme, si qeleshe, kësulë, qylaf, etj, por pavarësisht emrit, ai është simbol i identitetit kombëtar shqiptar. Në një kohë kur globalizimi rrezikon të zbehë identitetet e veçanta, kjo nismë synon që Plisi të mos mbetet thjesht një kujtim në raftet e muzeve apo në fotot e vjetra, por të njihet zyrtarisht si një pasuri globale.
